Nëse ka një festë ku emocionet ngërthehen me lotë dhe gëzim, është Festa e
Abetares.
Është festa ku një fëmijë mëson gjuhën se si të depërtojë në botën e pafumdme të librave;
Është festa ku një mësues, pas një viti përmbush misionin e tij duke udhëzuar se prej nga nis rruga e dijes;
Është festa, kur një prind kupton se fëmija i tij tashmë mundet edhe vetë të lexojë përrallën e tij të mbrëmjes…
“Abetare, abetare
Sillma diellin në dritare
Ku rrjedh fjala, plot kumbim
Gjuhë e lashtë e vendit tim…”
Është ky refreni më i bukur që mbetet në mendjen e të gjithëvë kur ndjek nga afër festën e abetares. 😍
Festa e Abetares, festa më e veçantë dhe më e bukura, e para festë në emër të dijes.
E mbushur plot emocione, me zërat gazmorë të fëmijëve, krenaria e mësuesve dhe kënaqësia e prindërve, erdhi përsëri e bukur dhe festive si një shfaqje me aktorët kryesorë nxënësit që mbyllën klasën e parë!
Puna e përkushtuar, imagjinata e pamatë për ta bërë këtë ditë të paharrueshme, nuk kishte se si të mos triumfonte në këtë festë duke shijuar çdo tingull fëmijëror që ngjanin me cicërimat e zogjve në një pyll të gjelbëruar pranveror.
Është e mrekullueshme sa bukur tingëllon gjuha jonë e artë në buzët e vogëlushëve!
Edhe pse plot emocione, festa mori hov mes të gëzuarit e të festuarit të fëmijëve, të cilët përcillnin emocionet më të bukura tek prindërit, gjyshërit dhe miqtë e ftuar.
Suksese nxënësve më të vegjël të shkollës sonë!
Falenderojmë gjithashtu mësuese Zanën dhe mësuese Mirën, të cilat me përkushtimin ndaj kësaj dite, dukej se në fund të festes përhapnin kudo dhe bukur, mesazhin se dituria është e vetmja gjë në botë me vlerë, por pa çmim, e vetmja gjë që fitohet dhe nuk blihet. Ndaj, shfrytëzoni secilin moment për të ndriçuar mendjen tuaj me dituri dhe mbi të gjitha, mos harroni se ditët më të bukura janë ato në bankat shkollore mes botës së librave