Të shtunën e datës 27 tetorit në shkollën tonë u mbajt KONFERENCA E DYTË me temë:
“SHËNDETI I GJIMNAZISTËVE DHE STUDIME TË INTEGRUARA TË FUSHAVE BIOMJEKËSORE”.
Nisi kjo konferencë me vargjet e udhëheqësit shpirtëror të shkollës sonë, të madhin Ibrahim Kodra.
Piktorin që mbase më mirë do kish qenë ta quanin një ALKIMIST.
KËRKOJ
Kërkoj horizonteve larg
praninë e jetës
të pafundmen…
rrezen diellore,
lëvizjen.
…
Kërkoj befasinë
të padukshmen
të paarritshmen
zanafillën.
Kërkoj çelësin e gjithësisë
enigmën e ajrit
të puhizës
të agut të dritës.
Kërkoj të mbjell në tokë
filizin e parë
farën e parë
të ardhmërisë.
Ibrahim Kodra
Kërkoj është fjala e parë kur ke të bësh me arsimin, shkencat, të bukurën gjithëdimensionale.
Kërkoj është edhe motoja e nxënësve të shkollës sonë të cilët në vazhdimësi dëshmojnë dashuri dhe devotshmëri për shkencat humane.
Njohja me çështjet e shëndetit të trupit, trurit dhe shpirtit, si trinomi që sjell harmoninë për një njeri që të gëzojë jetën në Tokë ishte qëllimi i kësaj konference.
Motivimi i rinisë dhe gjimnazistëve në veçanti, për t’u qasur drejtpërdrejt me të rejat më të fundit të kërkimit shkencor në shërbim të njeriut dhe mjedisit që na rrethon, fitimi i aftësive dhe shprehive lidhur me prezantimin e projekteve të tyre shkencore në publik, promovimi i të rejave më të fundit të shkencës, rritja e bashkëpunimit mësues-nxënës.
Nën udhëheqjen e profesoreshës së biologjisë, Laurës, së bashku me të gjithë anëtarët e këtij grupimi, nxënësit referuan punimet e tyre dhe treguan edhe një herë që në shkollën tonë aktiviteti shkencor përbën një kryefjalë mes aktivitetesh.
Këtij aktiviteti i dhanë zë edhe më shkencor dy të ftuarit specialë, profesoreshë Jerina Kolitari dhe doktor Sokol Pecnikaj, të cilët përgëzuan të gjithë nxënësit për ketë prezantim serioz.
Certifikata që iu shpërnda çdo nxënësi në fund të aktivitetit iu bashkua dosjes së sukseseve të tyre…